Me ardhjen e verës, për shumë vajza (por edhe djem) mund të jetë sfidë dalja në plazh apo pishina me rrobat e banjës. Shumë prej tyre përpiqen që gjatë muajve të tjerë të fshehin linjat trupore, ndonjë kilogram më shumë që i vendos gjithnjë përpara krahasimit me të tjerët.
Një nga ndryshimet më të forta fizike te vajzat që sjell edhe kilogramët, është shtatzënia. Pas lindjes së bebit, trupi merr forma të reja që jo gjithnjë i bëjnë të ndihen rehat dhe është në rregull edhe mos të ndihen mirë.
Por nuk është në rregull mos ta duash trupin tënd! Këtë mësim ka përçuar edhe Einxhel Shkira përmes dy fotove të thjeshta që tregojnë rrugëtimin e shumë vajzave dhe përjetimet lidhur me trupin post-partum.
Në foton e parë, të shkrepur në verën e vitit 2022, Einxhel shfaqet në pishinë me një palë bikini shumëngjyrëshe e barkun e rrumbullakosur.
“Kjo ka qenë dalja ime e fundit me bikini dhe e vetmja për gati 2 vjet… Gjithashtu këto bikinit u deshën 2 vjet që të më bënin sërish.” – shkruan Einxhel.
Fotoja e dytë… sërish ato bikini që i është dashur të presë 2 vite pas lindjes së Trev për t’i veshur sërish. Me sinqeritetin e saj, Einxhel shpjegon sesa i ka munguar trupi i dikurshëm dhe sa është përpjekur për të dashur të riun. Mbi të gjitha, thekson se sa e rëndësishme është koha për të procesuar gjithçka e të mësosh ta duash e ta ndryshosh, gjithnjë me kujdes.
“Ndërsa kjo, dalja ime e parë pas 2 vjetësh… Ka qenë një proces i gjatë dashuri-urrejtje me trupin tim! Dhe në refuzim total të faktit që kilet e reja të ishin trupi im i ri. Më pyesni shpesh për formën se si kam humbur vetëm disa prej kileve (sepse ende kam 10 kg më shumë se sa pesha para shtatzënisë), por dua t’ju them se kam provuar pak nga të gjitha dhe me kohën kanë dhënë njëfarë rezultati. Por më e rëndësishmja, i dhashë kohë vetes të procesoja gjithë ndryshimin drastik të trupit tim dhe do ju gënjeja nëse do ju thoja duajeni trupin tuaj ashtu siç jeni, sepse unë s’ka patur ditë që s’më ka munguar trupi im i dikurshëm… Por kam qenë e qetë dhe krenare për çdo kile të trupit tim duke ditur mrekullinë që ka dalë prej meje. Nëse s’jeni në paqe me trupin tuaj, mos e urreni por duajeni atë dhe kujdesuni që ta ndryshoni avash-avash! Urrejtja vetëm do të përkeqësojë gjendjen tuaj fizike dhe psikologjike, ndërsa dashuria do të jetë ajo që do të sjellë paqen dhe ndryshimin në trupin tuaj.”