Ndërsa vetëm pak ditë na ndajnë nga nisja e programit më të ndjekur në vend, duket se gjithçka është drejt përfundimit për të pritur në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, banorët e rinj.
Duket se këtë vit, ndryshe nga vitet e shkuara, emra gjithnjë e më të ndjekur po përfliten për t’u bërë pjesë e reality-show.
Për këtë, sot është folur në “Shqipëria Live”, ku të ftuar kanë qenë aktorja dhe ish-banorja e BBV1 Monika Lubonja, gazetari Andi Vrapi dhe gazetarja Liesa Haxhiasllani.
Së pari, aktorja Monika Lubonja ka treguar se është sërish e “hapur” për t’iu bashkuar formatit të BBV dhe do të merrte pjesë sërish në këtë sezon.
Një tjetër emër që u tha se do t’i bashkohej këtë vit formatit është Romeo Veshaj, një emër ky që sipas të ftuarve është në kohën e duhur, pasi sezoni i “Më lër të flas” mbyllet në dhjetor, ndërsa dhe xhirimet për serialin që Romeo do të luajë krah Elvana Gjatës janë duke përfunduar, kështu që hyrja e Romeos do të shërbente edhe si një marketim i mirë.
Nga ana tjetër, një emër që është në të njëjtën pozitë, është moderatorja Roza Lati, e cila ka ndërprerë aktualisht programin e saj “Why not”, dhe nga ana televizive, nuk ka lajmëruar për projekte të reja.
Gjithashtu Olsi Bylyku, i cili muajt e fundit ka hyrë “fuqishëm” në industrinë e muzikës me shumë projekte që kanë rezultuar mjaft të suksesshme dhe gjithnjë e më shumë po komentohet në rrjet dhe mediat rozë.
Sipas të ftuarve por edhe zërave, Meriton Mjekiqi është një nga personazhet që do të bëhet pjesë e BBV3, i cili po ashtu nëpër intervista e ka lënë të hapur mundësinë për t’u bërë pjesë e formatit.
Dhe, së fundmi këngëtaret Vesa Smolica dhe Adelina Tahiri. Të dyja po bëjnë disa kohë që janë shkëptur nga tregu muzikor dhe për to do të ishte një mundësi mjaft e mirë për t’u rikthyer me projekte të mëtejshme.
Tashmë, mbetet vetëm të presim edhe pak ditë për të parë nëse këto emra, do të jenë vërtet banorët e parë që do t’i bashkohen eksperiencës së BBV3 që hap dyert në janar 2024.